Një ansambël për madhështinë e mendjes njerëzore

 

Në rast se shkon në Manhattan, pa dashur lumi i njerëzve që vërshon rretheqark teje, kudo që të kesh zbritur apo kudo që të ndodhesh, të merr me vete dhe të shpie drejt Rockfeler Center- kompleksin privat më të madh të ndërtesave e objekteve të tjera për biznes dhe pushim, jo vetëm në New York, por në të gjithë botën.

Ky kompleks përfshin l9 godina të mëdha, të ndërtuara në një sipërfaqe prej 22 akrash, që themeluesi i saj John D. Rockfeller Junior ia mori me qira Columbia University në vitin l928. Ai u konceptua si "një qytet brenda qytetit", domethënë si një kompleks urban i pajisur me të gjitha objektet e nevojshme për një qytet, duke përllogaritur tre elementët e domosdoshëm: ajrin, dritën dhe transportin.

Qendrën e këtij ansambli dhe ndërtesën e tij të parë e përbën qiellgërvishtësi G.E. Building, 70 katësh, 850 këmbë i lartë, i cili u mendua si "flamurmbajtës" për qiellgërvishtësit e tjerë që u ndërtuan dhe iu shtuan më pas, duke ruajtur gjithnjë raportet e hapësirës midis tyre. Vetëm veprat e artit, të punuara nga artistët më të njohur të kohës, arrijnë në l00, duke e bërë këtë ansambël "muzeun" më të madh "nën qiell të hapur" në Amerikë.

75.000 vetë punuan për ndërtimin e këtij kompleksi për dhjetë vjet me radhë (l931-l940).

Nëpër parqet, pranë shatërvaneve, kafeneve jashtë dhe brenda ndërtesave do të shikosh një mori të panumërt njerëzish të racave, kombësive dhe të moshave të ndryshme. Menjëherë e ndien veten sikur të ishe në një Romë apo Babilon të ri. Aq më tepër që të gjitha veprat e artit në këtë ansambël janë realizuar në frymën e mitologjisë greke, kryesisht, por edhe asaj të Lindjes. Atmosfera këtu është gjithnjë festive, jo vetëm për shkak të numrit dhe larmisë së madhe të vizitorëve, që lëvrijnë kudo, por edhe të flamurëve ngjyra-ngjyra që valviten rretheqark sheshit, midis të cilëve edhe flamuri i kuq me shkabën e zezë në mes.

Para G.E. Building ndodhet Rockfeler Plaza. Në Lower Plaza (Sheshi i Ulët), që është ndërtuar nën nivelin e sheshit të madh, ndodhet një shatërvan, i cili në verë flladit me freskinë e tij vizitorët e ulur nëpër tavolina, ndërsa në dimër sheshi mbulohet me akull dhe shërben për të rrëshqitur me patina. Në mbrëmje ai vezullon i gjithi nga dritat.

Në ball të shatërvanit spikasin vargjet e Eskilit të Madh:

"Prometeu, mësuesi i çdo arti, solli zjarrin që u bë për të vdekshmit një mjet për të arritur qëllime të madhërishme".

Ndërsa para shatërvanit është vendosur skulptura e famshme e "Prometeut" e punuar nga Paul Manship. Ky nuk është një Promete i përvuajtur, i ngrysur, nga dhëmbjet fizike dhe shpirtërore, i mbërthyer në majë të shkëmbit, sikurse e përfytyrojmë ne ballkanasit zakonisht me tragjizmin tonë të vrejtur. Jo, aspak. Ai është një djalosh i ri me një pishtar në dorë, i hepuar pak, duke fluturuar poshtë, në drejtim të tokës, në drejtim të njerëzve. Është krejt i praruar. Dhe prej tij buron vetëm rini, bukuri, siguri e qetë dhe optimizëm. Një optimizëm karakteristik për popullin amerikan. Meqë ra fjala, me cilindo amerikan që të flasësh, do të shohësh se të gjithë janë të sjellshëm dhe të qeshur, kurrë nuk janë të ngrysur, megjithëse kurrë nuk kanë dëshirë ta zgjasin muhabetin. Të njëjtën gjë shikon tek politikanët, deri edhe tek spikerët e rrjetit të TV që buzëqeshin edhe kur transmetojnë lajme makabre. Kjo nuk do të thotë se popullit amerikan në rrugën drejt progresit e mirëqënies nuk i takoi që të përjetonte dramat e tij. Mjafton të shohësh tabllotë murale të piktorit Jose Maria Sert me titullin "Progresi amerikan" në hollet e katit përdhes të G.E. Building.

Sidoqoftë, të bën një përshtypje të pashlyeshme ky Promete i praruar në sfondin e këtij qiellgërvishtësi kaq të madh, provë e orvatjes titanike të njerëzve për të sulmuar qiellin.

Por nuk është vetëm Prometeu ai që të lidh me ëndrrën dhe aspiratën e përjetshme të njerëzve për dritë, për dituri. I gjithë ky ansambël është i mbushur me vepra arti, të cilat synojnë t'i thurin lavdi mendjes së guximshme njerëzore.

Tutje në sfond, mbi hyrjen e G.E. Building, në një basorelief është paraqitur një figurë shumë e ngjashme me Moisiun e Mikelanxhelos, dora e të cilit është vendosur mbi një libër dhe anash është shkruar: "Urtësia dhe Dija do të jenë qëndrueshmëria e Kohës tënde".

Edhe në pjesën e prasme të G.E. Building do të shohësh mozaikun e madh të Barry Faulkner "Mendimi", i cili ka në qendër një grua të përqëndruar në një mendim të qetë dhe ka anash Fjalën e Shkruar dhe Fjalën e Folur, që së bashku me të gjitha artet dhe shkencat që lindin prej tyre (politikë, filozofi, poezi, dramë etj.), gjithashtu janë të paraqitura në formën e grave engjellore që notojnë në një qiell të kaltërt. Në skajet e mozaikut janë paraqitur Varfëria, Injoranca, Frika dhe Mizoria, shkaktarët e lindjes së mendimit dhe armiqtë e tij vdekjeprurës.

Por ajo që e plotëson dhe e përfundon mendimin, që duhej të përshkonte me sa duket këtë ansambël, sipas krijuesve të tij, është mesazhi-kredo i John D. Rockfellerit, JR., pinjollit të familjes së miliarderëve amerikanë, i cili qe inisiatori dhe projektuesi i tij.

Për ne që kemi jetuar në sistemin komunist të Lindjes, ku nën parullat demagogjike të internacionalizmit dhe të së mirës së përgjithshme, të luftës kundër humanizmit mbiklasor shtypej liria e individit dhe shoqëria shkonte drejt rrënimit dhe varfërimit ekonomik e shpirtëror, është me interes ta lexojmë këtë mesazh, që është një këngë besimi për vlerat e individit dhe të shoqërisë të bazuar në drejtësi, të punës njerëzore, të lirisë dhe të lumturisë:

"Unë besoj në vlerën supreme të individit dhe në të drejtën e tij për të jetuar, për të qenë i lirë dhe për të kërkuar lumturinë

Besoj

se çdo e drejtë të ngarkon me një përgjegjësi; çdo mundësi është një obligim; çdo pasuri është një detyrë.

Besoj

se ligji është bërë për njeriun dhe jo njeriu për ligjin; se qeveria është shërbëtore e njerëzve dhe jo padrone e tyre.

Besoj

në dinjitetin e punës, qoftë ajo mendore apo fizike; se bota nuk ka për borxh t'i sigurojë askujt jetesën, por e ka për borxh t'i japë çdo njeriu mundësinë për të siguruar jetesën.

Besoj

se kursimi është i qenësishëm për një jetesë të rregulluar si duhet dhe se ekonomia është kërkesa e parë e një strukture të shëndetshme financiare, kudoqoftë, në qeveri, biznes apo në punët personale.

Besoj

se e vërteta dhe drejtësia janë themelore për një rend të qëndrueshëm social.

Besoj

në shenjtërinë e një premtimi, se fjala e dhënë e lidh njeriun; se karakteri - dhe jo pasuria, pushteti apo pozita - ka vlerën më të lartë.

Besoj

se kryerja e shërbimeve të dobishme është një detyrë e zakonshme e njerëzve dhe se vetëm në zjarrin pastrues të sakrificës digjet zgjyra e egoizmit dhe çlirohet madhështia e shpirtit njerëzor.

Besoj

në një perëndi që është më i mençuri dhe që i do të gjithë, me çfarëdo emri që ta quajnë, dhe se plotësia më e lartë e individit, lumturia e tij më e madhe dhe dobishmëria e tij më e gjerë duhet të jetojnë në harmoni me vullnetin e tij.

Besoj

se dashuria është gjëja më e madhe në botë; se vetëm ajo mund të mposhtë urrejtjen; se e drejta mund dhe duhet të triumfojë mbi forcën.

John D. Rockefeller, JR."

Pasi je shkëputur nga zallamahia njerëzore, nga ai vrap i nxituar për të parë çdo kënd e cep të këtij ansambli, kur shkëputesh nga madhështia e ftohtë e qiellgërvishtësve, ajo që të mbetet e pashlyeshme në mendje është se i gjithë ky ansambël është një himn për madhështinë e mendjes së njeriut, i aspiratës së tij të përhershme për dritë, liri dhe lumturi.

 

Botuar në gazetën "Illyria", New York, 28 Qershor 1993

 

 

Back to Top